Kurti mori pjesë në shënimin e 15-vjetorit të Kolegjit Publik në Mitrovicë
BKT
Kosovë

Kurti mori pjesë në shënimin e 15-vjetorit të Kolegjit Publik në Mitrovicë

K. K. / RTKlive

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e organizuar për shënimin e përvjetorit të 15-të të themelimit të Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM).

“Sot jemi mbledhur për të shënuar 15-vjetorin e IBCM-së, një qendër universitare sui generis për shumë arsye. Vetë pozita gjeografike e kolegjit, përbërja studentore, si dhe përmbajtja e programeve akademike - jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht - tregon se në këtë institucion të gjithë janë të mirëseardhur. Çdo studente e student që diplomon nga IBCM është i përgatitur mirë për tregun e punës dhe për jetën në përgjithësi ", tha kryeministri Kurti në fjalën e tij të rastit, thuhet në njoftim.

Siç ka bërë të ditur kryeministria, ai tha se gjatë gjithë mandatit, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka kursyer mbështetjen për këtë institucion të rëndësisë së veçantë. Këtë e kemi bërë me shqyrtim dhe analiza të kujdesshme, e më tej me vendimmarrje konkrete.

"Me vendim të Qeverisë, që nga viti 2023, IBCM financohet krejtësisht nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Arsimit, duke garantuar kështu vazhdimësi cilësore të zhvillimit akademik të trupës studentore", theksohet tutje në njoftim.

Duke folur për përkrahjen që i është dhënë fushës së arsimit, Kurti tha se qeveria ka dëshmuar vendosmërinë e saj për të mbështetur rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në të gjitha modalitetet e mundshme.

"Largimi i tarifave semestrale për studentët e universiteteve publike, mbështetja me bursa brenda dhe jashtë vendit, hapja e mundësive të reja për studime dhe hulumtime shkencore, ngritja e platformave të rrjetëzimit për projekte kërkimore - janë vetëm disa nga veprimet specifike që kemi ndërmarrë gjatë kësaj qeverisjes sonë. Natyrisht, puna jonë do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, ku mbështetja do të intensifikohet dhe rezultatet nuk do të mungojnë", tha ai.

Tutje Kurti e uroi stafin edhe studentët për 15-vjetorin e themelimit të këtij kolegji, teksa u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për mbështetje të nismave kreative nga studentët dhe se është përherë në shërbim të të gjithë qytetarëve, sepse vetëm kështu avancojmë bashkë, vetëm kështu Kosova jonë përparon.


MË SHUME NGA Kosovë