35 mysafirë nga rajoni në Konferencën për Sigurinë Digjitale të Fëmijëve
BKT
Kosovë

35 mysafirë nga rajoni në Konferencën për Sigurinë Digjitale të Fëmijëve

K. K. / RTKlive

Sot do të nisë Konferenca Rajonale për Sigurinë Digjitale të Fëmijëve. Në këtë konferencë dyditore për herë të parë në Kosovë, do të ofrohet një platformë gjithëpërfshirëse e diskutimit mbi një nga temat më urgjente të kohës: siguria e fëmijëve në mjediset digjitale.

Blerta Aliu-Ahmeti, drejtoreshë ekzekutive në “Education Empowerment Initiative”, theksoi në RTK se në konferencë janë 35 mysafirënga rajoni, drejtorë të shkollave, prindër dhe organizata joqeveritare, me të cilët do të diskutojnë për mekanizma mbrojtës për fëmijët.

Ajo në lidhje të drejtpërdrejtë në “Mirëmëngjesi Kosovë” për RTK-në tha se këtë konferencë e bën të veçantë paneli i fëmijëve sepse sipas saj është e rëndësishme të dëgjohet zëri i fëmijëve, sfidat me të cilat përballen çdo ditë në rrjete sociale.

“Jemi në epokën digjitale. Ideja jonë është të mundohemi t’i edukojmë fëmijët për përdorim sa më të shëndetshëm të teknologjisë informative”, shtoi ajo.

Ndër të tjera, ajo tregoi se janë rreth 100 të pranishëm në këtë konferencë. “Në këto dy ditë do ta kemi komunitetin e shkollës, mësimdhënës, psikologë, prindër, organizata joqeveritare, përfaqësues nga OSBE, të cilët kanë qenë një prej shtytësve të këtij projekti. Po bëjmë përpjekje që çështjen e edukimit dhe të medies digjitale ta shtyjmë për ta integruar në kurrikulën arsimore”, tregoi ajo.

Po ashtu, ajo theksoi se tani është koha që të bashkohemi për të ndërtuar një siguri digjitale, sepse edhe prej hulumtimeve që janë bërë në terren, është vënë re se është më se e nevojshme të reagohet.

“Po ashtu, nesër e kemi Policinë e Kosovës, Njësinë e Krimeve Kibernetike, e cila do të bëjë një prezentim për dhunën e rasteve në internet, që përfshijnë fëmijët dhe adoleshentët”, tha Aliu-Ahmeti.


MË SHUME NGA Kosovë