26 vjet pa Ukshin Hotin, kërkohet zbardhja e fatit të tij
RTKlive
Në 26-vjetorin e zhdukjes së profesorit dhe veprimtarit të njohur Ukshin Hoti, në fshatin Krushë e Madhe të komunës së Rahovecit u mbajt një tubim sensibilizues për të nderuar jetën, veprën dhe trashëgiminë e tij.
Tubimi mblodhi qytetarë, përfaqësues institucionalë, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe familjarë të të zhdukurve, të cilët theksuan rëndësinë e zbardhjes së fatit të Hotit dhe ruajtjes së kujtimit të tij në memorien kombëtare.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në fjalën e tij theksoi:
“Janë bërë 26 vjet dhe ende nuk dimë se çfarë i ndodhi Ukshin Hotit. A është gjallë apo jo? Prandaj pyesim veten dhe ata që e dinë: çfarë ndodhi me të? Pse Ukshin Hoti nuk është më mes nesh?”
Ai e quajti Hotin një ndër figurat më emblematike të mendimit politik shqiptar, i cili sakrifikoi gjithçka për idealin e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Ndërkohë, Qemajl Krasniqi, kryetar i degës së Unionit të Veteranëve të Luftës (UVL) në Rahovec, tha se Ukshin Hoti ishte i vetëdijshëm për rrezikun që përballonte, por asnjëherë nuk bëri kompromis me të vërtetën:
“Luftoi me armën më të fuqishme që kishte, mendjen e tij të ndritur.”
Pjesë e këtij tubimi ishte edhe përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara, i cili deklaroi se Ukshin Hoti vazhdon të jetë një ndër të zhdukurit më emblemë të historisë së vonë të Kosovës.
“Prej 26 vjetësh, profesor Ukshin Hoti është i rrëmbyer dhe i zhdukur me forcë nga regjimi kriminal serb, i cili ende mban të robëruar fatin dhe vendndodhjen e tij, sikurse edhe të qindra të tjerëve,” theksoi Gara.
Të pranishmit apeluan që institucionet shtetërore të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të tij dhe që Ukshin Hoti të zërë vendin që meriton në historinë dhe ndërgjegjen kombëtare.























