`Pastrimi` vazhdon grevën
Fatos Cervadiku / RTK
Punëtorët e kompanisë `Pastrimi` po e vazhdojnë grevën para objektit të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar që t`ua shlyejë borxhet për të cilat pretendon se i ka. Ndërsa greva vazhdon, zgjidhja e problemit mes Komunës dhe kompanisë "Pastrimi" mbetet e paqartë.
Bashkë me kamionët më të cilët kryenin shërbime në kryeqytet, punëtorët e kompanisë "Pastrimi" edhe të hënën qëndruan para Komunës së Prishtinës.
Ata u shprehën të vendosur të qëndrojnë në grevë deri në plotësimin e kërkesave.
Punëtorët thanë se u kërkojnë falje qytetarëve për pamundësinë e kryerjes së shërbimeve, por këtë nuk po e bëjnë për shkak të mungesë së mjeteve financiare.
"Kompanitë private na kanë hy në mes, ata duhet me kërku me u tërhjekë prej kësaj gjendje, ne e kryejmë shërbimin qysh e kemi kryer qe 20 e kusur vjet" , thekson një punëtor nga kompania "Pastrimi".
Ndërkaq një tjetër thotë se "unë i kam tre fëmijë, kam kredi, e kam babën e vëllain e sëmurë nuk kam si t'ia dal me këtë rrogë kaq të ulët. Pse me ardhë kjo gjendje me na lënë pa pagë".
Komunarët që nga e premtja e javës së kaluar janë në pritje të nënshkrimit të kontratës në vlerë prej 1.5 milion eurosh nga ana e kompanisë 'Pastrimi', por nga kompania kanë thënë më herët se kjo kontratë nuk e adreson problemin themelor, i cili ka të bëjë me shërbimin primar të largimit të mbeturinave nga qyteti.
RTK ka provuar gjatë ditës të marrë një përgjigje nga zyrtarët komunalë, nëse janë duke provuar të gjejnë zgjidhje për çështjen e grumbullimit të mbeturinave, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.























