AVONET: Komuna e Prishtinës të kthejë mjetet tek KRM `Pastrimi`
RTKlive
Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila ka refuzuar si të pabazë padinë e paraqitur nga ekzekutivi i Komunës së Prishtinës kundër një rregulloreje të miratuar nga Kuvendi Komunal.
AVONET shpreh shqetësim të thellë për këtë qasje të Komunës së Prishtinës, duke theksuar se “kontestimi i një akti normativ të miratuar nga vetë Kuvendi i Komunës – organi më i lartë vendimmarrës në nivel lokal – përbën një përdorim të papranueshëm të të drejtave procedurale”.
Në deklaratën për media, AVONET kritikon edhe vazhdimin e inkasimit të mjeteve nga qytetarët për shërbimin e mbeturinave, ndonëse rregullorja në fuqi parasheh që këto pagesa të kryhen drejtpërdrejt në KRM “Pastrimi” Sh.A.
“Këto veprime janë një sinonim i shkeljes flagrante të parimeve të ligjshmërisë dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike. Sjellje të tilla kanë rrezikuar seriozisht funksionimin financiar dhe operativ të ndërmarrjes publike,” thuhet në reagimin e AVONET, duke rikujtuar se punëtorët e “Pastrimit” janë në grevë për shkak të kësaj situate.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme që refuzon kërkesën për masë të përkohshme dhe lë në fuqi rregulloren e miratuar, AVONET i bën thirrje Komunës së Prishtinës që të ndalë çdo praktikë të paligjshme dhe të veprojë sipas ligjit.
“Komuna duhet të zbatojë vendimin e gjykatës dhe të kthejë pa vonesë të gjitha të ardhurat e inkasuara në mënyrë të kundërligjshme tek KRM ‘Pastrimi’ Sh.A., si përfituesi i ligjshëm i këtyre mjeteve,” përfundon deklarata.
AVONET thekson se vetëm përmes respektimit të vendimeve gjyqësore dhe zbatimit të ligjit mund të rikthehet besimi i qytetarëve në institucionet publike.























