Veselaj: Kosova përballet me ndotje të rëndë të mjedisit |VIDEO
BKT
Kosovë

Veselaj: Kosova përballet me ndotje të rëndë të mjedisit |VIDEO

E. Hoti/ RTKlive

Kosova përballet me një mjedis të ndotur! Kështu deklaroi profesori universitar dhe njohësi i mjedisit, Zeqir Veselaj në RTK. Ai theksoi nevojën për një qasje sistematike nga ana e institucioneve shtetërore për përmirësimin e mjedisit në Kosovë.

Veselaj tha se problemet e mjedisit në Kosovë duhet të trajtohen në nivel global, mirëpo sipas tij mungojnë masat për përmirësimin e tij.

Sipas Veselajt, Kosova sot ballafaqohet me një ajër shumë të ngarkuar me ndotje pavarësisht stinës. Ai tha se rritja e transportit urban e bën këtë ndotje vazhdimisht të koncentruar në Prishtinë dhe në zonat tjera urbane.

“E kemi ndotjen permanente që vjen nga sektori energjetik, respektivisht termocentralet e KEK-ut dhe ndotja nga rrugët e pa pastruara. Të gjitha këto e bëjnë një ajër me cilësi jashtëzakonisht të ngarkuar,” tha ai në një intervistë në “Info Plus” në RTK.

Veselaj evidentoi edhe disa nga burimet tjera të ndotjes së mjedisit. “Uji në Kosovë ballafaqohet me probleme si në sasi, ashtu edhe në cilësi. Jemi ndër vendet që më së paku kemi ujë për kokë banori në rajon. Uji i pakët është i atakuar edhe nga mungesa e trajtimit të ujërave të zeza. Ujërat tona të kanalizimeve shkojnë ose në lumenj të patrajtuar, ose derdhen në tokë dhe ashtu i kontaminojnë edhe ujërat nëntokësore,” tha Veselaj.

Ai përmendi edhe humbjen e sipërfaqes tokësore nga ndërtimet, shpyllëzimet në masë, si dhe problemin e gjenerimit të mbeturinave. “Kemi një mungesë totale të riciklimit të mbeturinave dhe se nuk ka një sistem të menaxhimit të tyre", shtoi ai.

Sipas tij, përmirësimet e pakta të deritashme në projektet mjedisore kanë ardhur më shumë si rezultat i donacioneve të huaja. 


MË SHUME NGA Kosovë