Sot zyrtarisht nisi `Java e Krenarisë` |VIDEO
BKT
Foto: Valjete Shala / RTK
Kosovë

Sot zyrtarisht nisi `Java e Krenarisë` |VIDEO

Valjete Shala / RTK

Me sloganin “Asnjë hap mrapa”, të hënën zyrtarisht nisi “Java e Krenarisë”.

Java e Krenarisë rikthehet për të nëntin vit me radhë, nga 9 deri më 14 qershor, duke sjellë aktivitete që festojnë dashurinë, diversitetin dhe barazinë. Në hapjen zyrtare në ndërtesën e Qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ofroi mbështetje përmes politikave në mbrojtje të këtij komuniteti.

“Qeveria po punon në hartim të politikave adekuate për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe pa diskriminim. Ne kemi hartuar edhe një plan veprimi për vitin 2025-2027, që pritet të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për këtë komunitet”, ka thënë Kurti.

Në ceremoninë hapëse morën pjesë edhe përfaqësues të BE-së në Kosovë dhe ambasadorë të vendeve mike.

“Në emër të Bashkimit Evropian, mund të konfirmoj se jemi plotësisht të përkushtuar ndaj të drejtave të LGBTIQ+. Këto nuk janë të drejta të veçanta, janë të drejta të njeriut. Vizioni ynë në Bashkimin Evropian është mbrojtja dhe mos diskriminimi në të gjithë Bashkimin Evropian, në të gjitha shtetet tona anëtare dhe në vendet partnere”, ka thënë Aiov Orav, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Kam një sërë rekomandimesh që duhet të zbatohen. E para është mbështetja e sigurt për këtë komunitet”, ka thënë Jonas Westerlund, ambasador i Suedisë në Kosovë.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë, Blert Morina shpalosi detaje të organizimit, teksa bëri thirrje që të drejtat të tyre të respektohen.

“Shteti ka dështuar t’i mbroj qytetarët, teksa gjuha e urrejtës ende dominon në shoqërinë tonë. Ne nuk jemi numra, ne jemi njerëz dhe nuk kemi më durim. Tani është koha për llogari”, tha ai.

Për një javë rresht do të mbahen aktivitete të ndryshme që synojnë mbështetjen dhe promovimin e këtij komuniteti në Kosovë.


MË SHUME NGA Kosovë