Rrëfime për luftën dhe lirinë e Kosovës |Video
BKT
Kosovë

Rrëfime për luftën dhe lirinë e Kosovës |Video

Sh.G|RTKlive

Në programin e mëngjesit të RTK-së, të ftuar ishin ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, dhe oftalmologu Florim Zejnullahu, mjek gjatë luftës në radhët e UÇK-së. Ata sollën kujtime të paharrueshme nga lufta dhe nga dita historike e çlirimit të Kosovës – 12 qershori i vitit 1999.

Mustafa kujtoi ditën e çlirimit me ndjenja të forta dhe përkushtim të thellë.

“Ditën e çlirimit të Kosovës e kam pritur përtej emocioneve. Ishte dita që të gjithë e kemi ëndërruar, një ditë që kurorëzoi përpjekjet dhe sakrificat e brezave. Ishte një ditë e shenjtë dhe ne, ushtarët e UÇK-së, ishim të përkushtuar të organizoheshim sa më mirë për të përballuar çdo sfidë që vinte me të”, tha ai.

Mustafa falënderoi të gjithë ushtarët dhe aleatët ndërkombëtarë që ndihmuan popullin shqiptar të Kosovës në rrugën drejt lirisë:

“Do të doja të falënderoja secilin ushtar të UÇK-së, por edhe miqtë dhe aleatët tanë që na dolën në krah dhe e bënë më të lehtë rrugën tonë drejt lirisë.”

Ndërsa fliste për përfshirjen në luftë, Mustafa solli në vëmendje figurat kyçe që frymëzuan rezistencën: “Ne jemi fëmijët e brezit kufitar me Serbinë dhe gjithmonë kemi hasur në telashe që janë sjellë nga serbët. Por unë po flas për kohën e UÇK-së, kur pak njerëz si Zahir Pajaziti, Akif Zejnullahu, Ilir Konushevci, Edmond Hoxha, Adem Jashari, Fehmi Lladrovci, Qerim Kelmendi dhe shumë të tjerë kaluan vetveten. Ata, pak nga pak, na angazhuan neve, herë në punë më të lehta e herë me të gjitha detyrat e kohës, dhe na bënë që të mishëroheshim me UÇK-në. Pastaj, pak kush nga ne e dinte rëndësinë e vetes së tij, derisa kalonin gjashtë muaj, një vit apo dy. Kur po afrohej liria e Kosovës, të gjitha ato pozicione i morëm pak e nga pak, duke u sfiduar me kohën, me njerëzit dhe me detyrat që kishim”, tha Mustafa.

Ndërsa doktor Florim Zejnullahu theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për ata që ranë për liri: “Kjo ditë është edhe e atyre që ranë për këtë vend. Ndoshta nuk jemi të kënaqur me të arriturat pas luftës, por liria ka ardhur, dhe brezat e rinj duhet të ecin përpara pa harruar të kaluarën”, tha Zejnullahu.

Ai ndau edhe një kujtim të veçantë me Zahir Pajazitin, i cili kishte besuar në një luftë të pastër dhe me qëllime të qarta:

“Zahiri më tha që kjo luftë do të jetë e pastër. Ai e ka dashur shumë Anton Qetën dhe më tha: ‘Populli shqiptar i ka kryer parakushtet për fillimin e luftës, për shkak se për të bërë një luftë duhet të bëhet pajtimi kombëtar’, të cilin e bëri Anton Qeta me shumë intelektualë të Kosovës.”


MË SHUME NGA Kosovë