Ndërpritet përkohësisht furnizimi me ujë në disa komuna, shkak papastertia
E.Hoti/RTKlive
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se si pasojë e punimeve teknike në kanalin Ibër-Lepenc është shfaqur një nivel i lartë i turbullirës në ujin që shërben për trajtim në Fabrikën e Ujit në Shkabaj. Ky nivel i turbullirës aktualisht e bën të pamundur trajtimin e ujit sipas standardeve të parashikuara për ujë të pijshëm.
Për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e ujit që arrin te konsumatorët, KRU “Prishtina” thotë është detyruar të ndërpresë përkohësisht prodhimin e ujit në këtë fabrikë.
Si rezultat, do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm në Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas si dhe një pjesë e lagjes “Kalabria” në Prishtinë.
Nga KRU “Prishtina” theksohet se lagjet e tjera të Prishtinës do të preken minimalisht nga kjo situatë.
“Jemi të përkushtuar që të veprojmë në përputhje me standardet më të larta të trajtimit të ujit dhe të ruajmë cilësinë për të gjithë konsumatorët tanë. Do të vazhdojmë t’ju informojmë me njoftimet e radhës për çdo ndryshim apo përmirësim të gjendjes,” thuhet tutje në njoftim.























