Petrit Nimani, zgjedhet dekan i Juridikut në Universitetin `Haxhi Zeka`
RTKlive
Senati i Universitetit “Haxhi Zeka”, si organi më i lartë akademik i institucionit, pas një procesi të rregullt dhe transparent zgjedhor, ka zgjedhur me unanimitet të votave prof. asoc. dr. Petrit Nimanin në pozitën e Dekanit të Fakultetit Juridik, për mandatin e rregullt katërvjeçar.
Nimani ka shprehur mirënjohjen ndaj Këshillit të Fakultetit Juridik dhe Senatit të Universitetit “Haxhi Zeka” për besimin e dhënë, duke e mbështetur unanimisht për të udhëhequr Fakultetin Juridik në mandatin katërvjeçar.
"Përkushtimi dhe përgjegjësia ime do të jenë në funksion të së tashmes dhe të së ardhmes, në shërbim të dijes dhe brezave të rinj që po formohen në këtë institucion të rëndësishëm arsimor", ka shkruar ai në 'Facebook'.
“Zgjedhja e tij në krye të Fakultetit Juridik përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të mëtejshëm të cilësisë në arsim, shkencë dhe zhvillim institucional, në përputhje me standardet më të larta akademike. I urojmë suksese të vazhdueshme dhe realizim të plotë të vizionit të tij për një arsim juridik bashkëkohor dhe të avancuar në Kosovë!”, ka njoftuar Fakulteti Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka”.
Nimani ka botuar libra, monografi dhe artikuj shkencorë në revista prestigjioze ndërkombëtare, duke sjellë vlera të mirëfillta në literaturën juridike.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ai është shpallur disa herë Hulumtuesi më i mirë i vitit, ndërsa punimet e tij janë vlerësuar si ndër më të mirat në fushën juridike në vend.























