Autoritetet thonë se ndezja e zjarreve në natyrë përbën vepër penale
Qendresa Duraku/ RTK
Në disa komuna të Kosovës qytetarët u përballën me zjarre. Duke parë këtë situatë, Policia ka apeluar që të mos ndizen zjarre, sepse veprime të tilla përbëjnë vepër penale.
Një banor i Kamenicës në këtë formë po bën përpjekje që të shmangë zjarrin jo që ia dogji vetëm arën me grurë, por rrezikon edhe shtëpinë. Edhe në komunën e Prishtinës janë duke u përballur me gjashtë vatra aktive të zjarrit të natyrës fushore-malore.
"Në stinën e verës me ngritjen e temperaturave po shfaqen këto zjarre, siç i quajmë ne zjarre fushore malore. Fatkeqësisht këto zjarre në këto po kemi shumë zjarre qe po paraqiten. Këto ne i konsiderojmë që po i kontribuon faktori njeri. Për momentin sot deri në këto momente që po flasim i kemi rreth 6 intervenime në zjarre fushore malore, duke përfshirë këtu rrethin e Prishtinës si në Koliq, Mutivodë, Vragoli, në Grashticë dhe në disa tjera, në Barilevë më herët e kështu me radh", tha Abdusamed Shkodra, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.
Ndërhyrjet, pavarësisht kushteve sfiduese, po bëhen me kapacitetet ekzistuese të brigadës.
"Me këto kapacitete që i kemi në dispozicion, ne çdoherë po ju dalim në ndihmë qytetarëve aty ku kërkohet", shtoi ai.
Autoritetet njëkohësisht rikujtojnë se ndezja e zjarreve në natyrë pa kontroll është e ndaluar me ligj dhe përbën vepër penale.
"Edhe vitet paraprake gjithnjë kemi bërë apel që qytetarët të jenë më të kujdesshëm, më vigjilent, mos të shkaktojnë zjarre se këto zjarre po na shkaktojnë neve probleme", theksoi Shkodra.
Në këtë drejtim, edhe Policia e Kosovës është mobilizuar, duke apeluar për kujdes nga zjarret.
Sipas njoftimit, Policia Rajonale e Ferizajt ka marrë masa shtesë për menaxhimin e rasteve të zjarreve në këtë rajon, pas disa rasteve të raportuara në Ferizaj, Shtime dhe Hanin e Elezit.























