Zhitija Gjelaj: UP-ja, institucioni më i kërkuar i arsimit të lartë
BKT
Kosovë

Zhitija Gjelaj: UP-ja, institucioni më i kërkuar i arsimit të lartë

K. K. / RTKlive

Majlinda Zhitija Gjelaj, prorektore për zhvillim akademik dhe cilësi në UP, në një intervistë në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se Universiteti i Prishtinës vazhdon të mbetet institucioni më i kërkuar i arsimit të lartë në vend.

Sipas Gjelajt, këtë vit UP-ja ka pranuar mbi 6 500 aplikantë në studimet baçelor, duke tejkaluar numrin e vendeve të lira, që ishte rreth 5 000.

“Nëse e krahasojmë me numrin e maturantëve, Universiteti i Prishtinës ka marrë gjysmën e tyre, ndërsa gjysma tjetër është shpërndarë në gjashtë universitetet e tjera publike dhe kolegjet private në Kosovë”, tha ajo.

Megjithatë, prorektorja ngriti shqetësimin për një trend të rënies së vazhdueshme të numrit të maturantëve në vend. Ajo bëri me dije se para pesë vitesh rreth 32 000 maturantë kishin marrë pjesë në testin e maturës, ndërsa këtë vit vetëm 18 000 kanë hyrë në test dhe vetëm 12 000 prej tyre e kanë kaluar atë.

“Ky është një faktor kyç demografik që ndikon drejtpërdrejt në arsimin e lartë. Rënia e numrit të maturantëve nënkupton më pak studentë potencialë për universitetet publike”, u shpreh Gjelaj.

Një tjetër aspekt i theksuar ishte ndryshimi në moshën e studentëve që regjistrohen në universitet.

“Dikur ishte tipike që studentët të regjistroheshin në moshën 18-vjeçare menjëherë pas shkollës së mesme. Tani mosha mesatare e studentëve në Evropë është 22 vjeç”, shtoi ajo.


MË SHUME NGA Kosovë