Raka: Dëshmorët janë themeli i lirisë dhe krenarisë së përhershme
K. K. / RTKlive
Zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, me rastin e shënimit të Ditës së Dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik, ka bërë nderime në Gabrricë dhe homazhe në Kompleksin Memorial "Varrezat e Dëshmorëve".
Ai ka thënë se dëshmorët janë themeli i lirisë dhe krenarisë së përhershme, nderi dhe historia jonë e lavdishme.
“27 vite më parë, në betejën e zhvilluar në fshatin Gabrricë të Kaçanikut, ranë heroikisht komandanti Agim Bajrami me bashkëluftëtarët Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje ai ka thënë se në kujtim dhe nderim të sakrificës për lirinë e atdheut, u bënë nderime ku prehen përjetësisht dëshmorët, që nuk kursyen asgjë që ne sot të jemi të lirë.
“Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë e Kosovës. Ata janë të pavdekshëm, sepse vepra e tyre do të jetojë gjithmonë!”, ka shkruar ai.























