Vazhdojnë punimet në rrjetin e ujësjellësit për qytetin e Shtimes
BKT
Kosovë

Vazhdojnë punimet në rrjetin e ujësjellësit për qytetin e Shtimes

RTKlive

Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina", njofton se me intensitet të lartë po vazhdojnë punimet për realizimin e projektit të rregullimit të rrjetit të ujësjellësit për furnizim me ujë për qytetin e Shtimes dhe vendbanimet Petrova, Raqaku, Mollopolci, Godanci i Ulët, Godanci i Epërm, Lagjja e Pajtimit, Rashinca, Gllavica, Muzeqina, Davidovci, Gjurkovci dhe Vojnovci, që përfshijnë rreth 3,500 konsumatorë.

Ky projekt ishte i domosdoshëm për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me ujë për këto zona.

Vlera e projektit arrinë në 247,101.84 €, ndërsa në këtë fazë ai përfshin: Hapjen e një pusi me kapacitet Q = 12 l/s, ndërtimin e një rezervuari me kapacitet V = 100 m³; shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit nga Rashinca në Shtime me gjatësi L = 3,800 m dhe ndërtimin e stacionit të pompave me të gjitha pajisjet përcjellëse.

Përveç këtij projekti, në Komunën e Shtimes është planifikuar edhe një investim tjetër në vlerë prej 500,000 €, që ka të bëjë me ndërtimin e rrjetit dhe burimeve të reja të furnizimit me ujë për fshatin Pjetershticë. Procedurat e prokurimit për këtë projekt janë drejt përfundimit, pas së cilës do të nisin punimet në terren.

Kryeshefi Ekzekutiv, z. Arsim Fetahu, së bashku me Kryetarin e Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu, vizituan nga afër kantierin e punimeve dhe u informuan mbi dinamikën e realizimit. Deri më tani, janë përfunduar mbi 30% e punimeve, përfshirë rreth 1,200 metra trasë rrjeti. Kontraktorët po i realizojnë punimet me ritëm më të shpejtë sesa ishte paraparë fillimisht.

"Ky projekt pritet të përfundojë brenda këtij viti dhe do të pasohet nga projekte të tjera për banorët e këtyre lagjeve dhe zonave të tjera në kuadër të menaxhimit të ujësjellësit", njofton Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina".

 


MË SHUME NGA Kosovë