12:33 / 20.10.2025
Punimet restauruese në objektin e Teknikës Popullore drejt përfundimit
K. K. / RTKlive
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë me dije se punimet restauruese në ish objektin e Teknikës Popullore në Gjilan janë drejt përfundimit.
Sipas njoftimit nga ky institucion, ky monument i rëndësishëm me vlera historike, arsimore dhe kulturore, i ndërtuar rreth viteve 1934–1935, ka shërbyer ndër vite si ndërtesë e institucioneve shtetërore dhe si qendër e aktiviteteve kulturore në qytet. Pikërisht në këtë hapësirë, në vitin 1971, ka nisur edhe transmetimi i Radio Gjilanit.
"Restaurimi i objektit po realizohet me një investim prej afro 200 mijë euro, financuar nga MKRS, me synim ruajtjen e trashëgimisë historike dhe arkitekturore për brezat e ardhshëm", thuhet në njoftim.























