Ligjëratë në shkollën “Frang Bardhi” në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit
BKT
Kosovë

Ligjëratë në shkollën “Frang Bardhi” në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit

E.H|RTKlive

Në kuadër të nismës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Baza Gjinore”, në Gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë është mbajtur një ligjëratë vetëdijësuese nga përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.

Ligjërata u mbajt nga prokurorja e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Fetije Bajrami, mbrojtësi i viktimave, Ensar Suma, si dhe përfaqësuesja e Policisë së Kosovës, Mukadeze Gogolli.

“Gjatë ligjëratës së mbajtur, nxënësve u është shpjeguar për pabarazinë gjinore, diskriminimin në baza gjinore, ngacmimet, llojet e dhunës, armëmbajtjet pa leje, adresimin e këtyre veprave si dhe pasojat e kryerjes së këtyre veprave penale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Në përfundim të ligjëratës, nxënësit patën mundësi të parashtrojnë pyetje, të cilave ligjëruesit iu përgjigjën duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe raportimit të dhunës.

Nisma “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Baza Gjinore” zhvillohet çdo vit nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, me qëllim promovimin e barazisë gjinore dhe forcimin e mekanizmave të parandalimit të dhunës.


MË SHUME NGA Kosovë