S’ka qarkullim të autobusëve në Prishtinë pa u alokuar mjetet
RTKlive
(E plotësuar) Qarkullimi i autobusëve në Prishtinë do të mbetet i bllokuar deri në momentin kur të alokohen mjetet financiare në llogaritë e punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe atyre të operatorëve privatë.
Elmi Gashi nga “Trafiku Urban”m ka theksuar se punëtorët do të rikthehen menjëherë në punë sapo të bëhet bartja e mjeteve, duke theksuar se atyre u nevojiten rreth 30 minuta për t’u përgatitur pas realizimit të pagesës.
“Vendimi i së enjtes për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2024 në 2025, me vlerë rreth 28 milionë euro, është dërguar nga Komuna te Ministria e Financave. Po presim që Ministria ta miratojë këtë vendim… shpresojmë që sot ose nesër të ketë reflektim. Në momentin që alokohen paratë, ne dalim në punë, na duhen vetëm gjysmë ore për t'u kthyer në normalitet”, ka theksuar ai.
Edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Privat, Izet Smajli, shprehu keqardhjen për qytetarët që përdorin transportin publik dhe privat, duke theksuar gjendjen e rënduar financiare të kompanive private.
“Ditën që alokohen paratë, ne jemi të gatshëm dhe fillojmë punën. I lus institucionet, sidomos Qeverinë, që të bëjnë pagesat sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të rikthehet transporti”, ka deklaruar ai.
Prishtina edhe sot pa transport publik
Kryeqyteti nuk do të ketë transport publik as sot. Trafiku Urban do të vazhdojë me bllokim të rrugëve me autobusë. Këtë e ka konfirmuar për RTK-në kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, duke theksuar se greva do të vazhdojë deri në momentin kur Komuna e Prishtinës ta shlyejë borxhin ndaj operatorëve publikë dhe atyre privatë.
Gashi ka theksuar se sigurimi i fondeve të nevojshme për pagesa dhe stabiliteti i shërbimeve të transportit urban janë dy kërkesat bazë të kësaj greve. Sipas tij, vendimi është marrë të premten, por ende nuk ka arritur për vërtetim në Ministrinë e Financave.
Situata e krijuar mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Financave ka lënë qytetarët për një javë pa transport publik, duke i detyruar ata të gjejnë zgjidhje vetanake.
Ndërkohë, qytetarët kërkojnë që institucionet të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për këtë problem, pasi mungesa e transportit po ua vështirëson jetën e përditshme.
Greva e Trafikut Urban ka nisur të hënën, duke pezulluar të gjitha linjat. Sipas tyre, 3.2 milionë euro janë borxhet që Komuna ia ka Trafikut Urban, ndërsa 1 milion e 600 mijë euro është borxhi që Trafiku Urban ua ka furnitorëve për derivate.























