Paralajmërohen veprime radikale, protestuesit: Do ta bllokojmë qytetin
BKT
Kosovë

Paralajmërohen veprime radikale, protestuesit: Do ta bllokojmë qytetin

RTKlive

(E plotësuar) Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë kanë paralajmëruar radikalizim të veprimeve dhe bllokim të qytetit me autobusë, nëse zvarritet edhe më tej çështja e mos-alokimit të mjeteve financiare për pagat e tyre.

Përfaqësuesi i “Trafikut Urban”, Elmi Gashi, i ka bërë thirrje Ministrisë së Financave dhe Komunës që të reflektojnë, duke theksuar se punëtorët janë bërë “top ping-pongu” mes institucioneve.

“Në këto temperatura të ftohta, për hir të qytetarëve që vuajnë për transport, duhet të ketë reflektim nga institucionet. Në momentin që borxhi do të shlyhet, do t’i kthehemi punës së rregullt. Përndryshe, situata vetëm do të radikalizohet. Shpresojmë që kjo të ndodhë sot dhe që arsyeja të mbizotërojë tek Komuna dhe Ministria”, ka theksuar Gashi.

Ai paralajmëroi se me autobusë do ta bllokojnë qytetin.

“Do ta bllokojmë qytetin, me gjithë autobusët do të dalim. Pavarësisht rreziqeve apo ndalesave nga organet e rendit, ne do ta marrim përgjegjësinë dhe pa pëlqimin e askujt do ta bëjmë këtë. Nuk është e drejtë që ne të mos punojmë e qytetarët të mbeten rrugëve – autobusët janë të popullit”, ka theksuar ai.

Sekretari i sektorit privat, Ismet Haliti, bëri thirrje që të kryhen pagesat. Ai theksoi se nga gjithë kjo po pëson qytetari.

“Është dita e 9 e protestës, fatkeqësisht udhëtari dhe qytetari i Prishtinës po vuan njëjtë sikur ne, kështu që bëjmë thirrje te Qeveria dhe Komuna që të reflektojnë dhe brenda ditës së sotit t’i alokojnë mjetet te Komuna dhe Komuna te ne, përndryshe mënyrën e protestës e ndryshojmë nga nesër”, ka deklaruar ai.

Vazhdojnë protestat e transportit publik në Prishtinë

Punëtorët e transportit publik në Prishtinë edhe sot do të protestojnë, ndërsa kërkesa e tyre mbetet ekzekutimi i pagave, në mënyrë që të kthehen në punë.

“Deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe të sektorit privat, ne do të vazhdojmë me protesta, njëjtë nga ora 10:00 deri në 12:00. Kjo do të vazhdojë derisa t’i marrim paratë në xhirollogarinë tonë”, ka deklaruar Elmi Gashi, përfaqësues i punëtorëve të Trafikut Urban.

Ismet Haliti, sekretar i Shoqatës së sektorit privat të autobusëve, u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për bartjen e mjeteve që t’i alokojnë ato sa më shpejt. “Më së keqi kanë mbetur qytetarët pa transport; ata janë duke e vuajtur më së shumti. Sa më shpejt të dalin mjetet, aq më shpejt fillon transporti”, tha ai.

Nga Komuna e Prishtinës, të hënën nuk janë deklaruar lidhur me këtë situatë. Hulumtues nga Instituti GAP thonë se pritjet që problemet buxhetore të tejkalohen brenda ditës janë të gabuara.

Që një javë, në kryeqytet nuk kanë qarkulluar autobusët e transportit publik, ndaj banorët e Prishtinës janë detyruar të gjejnë zgjidhje alternative.


MË SHUME NGA Kosovë