Posta e Kosovës lanson pullat “Sahat Kullat”
BKT
Kosovë

Posta e Kosovës lanson pullat “Sahat Kullat”

V.Th / RTKLive

Posta e Kosovës ka vënë sot në qarkullim emisionin e ri filatelik “Sahat Kullat”, duke i kushtuar pulla të posaçme dy prej monumenteve më karakteristike të trashëgimisë sonë kulturore: Sahat Kullës së Prishtinës dhe asaj të Gjakovës.

Me këtë emision, sektori i Filatelisë synon të promovojë dhe rikujtojë vlerat e trashëgimisë urbane të Kosovës, duke theksuar rëndësinë historike, arkitektonike dhe simbolike të këtyre kullave që ndër shekuj kanë shënuar ritmin e jetës qytetare.

Sahat Kulla e Prishtinës, e vendosur pranë Xhamisë së Mbretit, mbetet një nga monumentet më të njohura të kryeqytetit. E ndërtuar me gurë, ajo ka shërbyer dikur si matëse e kohës dhe sot konsiderohet një lidhje mes së kaluarës dhe të tashmes.

Ndërkohë, Sahat Kulla e Gjakovës në zemër të Çarshisë së Madhe është simbol i identitetit kulturor të qytetit. Ajo ka mbijetuar sfidat e historisë dhe vazhdon të jetë një prej objekteve më të dashura për banorët dhe vizitorët.

Vendosja e tyre në pulla postare u jep këtyre monumenteve një dimension të ri: ato përçojnë historinë dhe artin kosovar përtej kufijve, duke shoqëruar çdo letër e dërgesë që udhëton drejt botës.

Posta e Kosovës u bën thirrje qytetarëve, koleksionistëve dhe bizneseve të blejnë dhe t’i përdorin këto pulla, duke kontribuar në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.


MË SHUME NGA Kosovë