Fetoshi: Rasti `Panda`, krim i inskenuar për propagandë kundër shqiptarëve
RTKlive
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka rikujtuar masakrën e kafiterisë “Panda” në Pejë, duke e cilësuar atë si një krim të inskenuar nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, i përdorur për propagandë dhe justifikim të dhunës e gjenocidit ndaj shqiptarëve.
Në një postim në Facebook, Fetoshi thekson se më 14 dhjetor 1998, në kohën kur dhuna serbe po tërhiqte vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi të vërtetën e Kosovës, regjimit serb i nevojiteshin krime “mashtruese” për të fajësuar shqiptarët, sipas strategjisë së ashtuquajtur “false flag”.
Sipas tij, sulmi në kafiterinë “Panda”, ku u vranë gjashtë të rinj dhe u plagosën 15 të tjerë, shumica të mitur, u shfrytëzua për të ndërtuar narrativën e fajësimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të “legjitimuar” brutalitetin e forcave serbe ndaj popullatës civile.
“Viktimat e mitura e bënin krimin më të ‘përshtatshëm’ për propagandë, për ta paraqitur gjenocidin si reagim të justifikuar”, ka shkruar Fetoshi.
Ai kujton se pas krimit u arrestuan dhe u dënuan shumë shqiptarë të pafajshëm, të cilët u torturuan rëndë, ndërsa asnjë hetim serioz nuk e ndriçoi autorësinë e vërtetë. Fetoshi thekson se edhe pse në vitin 2013 Aleksandër Vuçiq pranoi publikisht se në dosjen e rastit “Panda” nuk ekzistonte asnjë provë që krimi ishte kryer nga shqiptarët, drejtësia serbe vazhdon të mos japë përgjigje për përgjegjësit realë.
“Ndonëse e kanë pranuar vetë se shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me krimin, rasti ‘Panda’ vazhdon të përdoret kundër shqiptarëve si mjet propagande”, ka theksuar ai.
Sipas Fetoshit, kjo përbën një shembull tipik të veprimit “false flag”, që shërben për vazhdimin e narrativës së rreme të viktimizimit dhe si strategji hibride kundër Kosovës.
“Normalizimi nuk mund të ndërtohet mbi mohimin dhe harresën. Paqja mund të triumfojë vetëm kur Serbia të detyrohet t’i pranojë krimet e saj”, ka përfunduar Fetoshi.























