Feride Rushiti vlerësohet me Çmimin `Evropiani i Vitit`
BKT
Kosovë

Feride Rushiti vlerësohet me Çmimin `Evropiani i Vitit`

RTKlive

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka ndarë sonte, për herë të parë pas 10 vjetësh, dy çmime “Evropiani i Vitit”, duke vlerësuar kontributin në avancimin e vlerave evropiane.

Sipas njoftimit të BE-së në Kosovë, çmimi i këtij viti iu nda themelueses së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (KRCT) dhe e nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025, Feride Rushiti, si dhe iniciativës “Perspektiva e të Rinjve”, studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës që garojnë në gara ndërkombëtare të gjyqit simulues.

Çmimet janë ndarë në bazë të votës së publikut dhe synojnë të njohin kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në promovimin e vlerave evropiane, përfshirë të drejtat e njeriut, drejtësinë, barazinë dhe solidaritetin.

“Jemi krenarë të qëndrojmë përkrah tyre sonte, ndërsa mbështetja e Bashkimit Evropian për përparimin e Kosovës vazhdon”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ceremonia shënon rikthimin e ndarjes së këtij çmimi pas një pauze dhjetëvjeçare, duke riafirmuar përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur iniciativa dhe individë që kontribuojnë në forcimin e vlerave demokratike në Kosovë.

 


MË SHUME NGA Kosovë