Iu dha lamtumira e fundit babait të Sali Mustafës|Video
Zenel Hajrizi /RTK
Në vendlindjen e tij në Rimanishtë të Prishtinës, i është dhënë lamtumira e fundit Jahja Mustafës, babait të Sali Mustafës, i cili po e vuan dënimin nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në heshtjen mortore në varrezat në Rimanishtë të Prishtinës iu dha lamtumira e fundit Jahja Mustafës. Pranë arkivolit nuk munguan familjarë, miq, bashkëluftëtarët dhe përfaqësuesit e institucioneve, por mungesa e të birit Sali Mustafa në ditën e përcjelljes së të atit për amshim ktheu këtë ceremoni në plagë të hapur, mes pikëllimit njerëzor dhe shqetësimit shoqëror tha Valon Murati në emër të familjes Mustafa.
“Në emër të familjes po e humbim bacin Jahë, pra po e humbim një njeri të dashur, një njeri që ka dhanë kontribut që ka qenë shtëpi e madhe e lirisë së Kosovës. Po, po ndjejmë dhimbje se pse nuk e kemi Calin këtu, domethënë, është një dhimbje e dyfishtë”, tha ai.
“Kjo gjykatë është dashtë ta liroj Calin që të vjen në vizitë humanitare para 5 - 6 dite. Mbrojtja e Calit i ka bërë kërkesë të vjen të paktën ta viziton babain sa ishte në spital, gjallë ta sheh por ja që ndodhi e kundërta. Sot nuk e liruan e që kem mendu që do ta lirojnë e të vjen në varrim se Cali është i dënuar ka verdikt 15 vite burg”, tha Hysni Gucati nga Shoqata e të Burgosurve Politik.
Jahja Mustafa, i ati i Sali Mustafës, jetoi me barrën e pritjes dhe shqetësimit, me dinjitetin e prindit që nuk u përkul. Megjithëse dhimbja është e thellë, qëndrimi mbetet i fortë, ndonëse edhe në momentet më të rënda, familja Mustafa di të gërshetojë dinjitetin njerëzor me krenarinë u tha me këtë rast.























