Reshjet e shiut, KEDS ndërprenë furnizimin me rrymë në tri komuna
E.H|RTKlive
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV, është ndërmarrë masa për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zonën e Drenasit.
Sipas njoftimit të KEDS, uji ka depërtuar në ambientet e nënstacionit, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik dhe për sigurinë e qytetarëve.
“Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe shërbimet e Zjarrfikësve, janë njoftuar dhe ndodhen në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës. Ndërkohë, ekipet e KEDS-it janë në terren dhe po punojnë intensivisht për të stabilizuar gjendjen dhe për të rikthyer furnizimin me energji elektrike sapo të krijohen kushtet e sigurta”, thuhet në njoftim.
KEDS njofton se gjendja është jo stabile edhe në Komunat e Malishevës dhe Rahovecit, për shkak të vërshimeve, ku për arsye sigurie është bërë ndalja e furnizimit me energji elektrike deri në stabilizimin e situatës.
Nga KEDS u bëhet thirrje qytetarëve për mirëkuptim, ndërsa theksohet se publiku do të mbahet i informuar me njoftime të tjera lidhur me zhvillimet e mëtejme.























