Malisheva heq gjendjen emergjente
BKT
Kosovë

Malisheva heq gjendjen emergjente

V.S|RTKlive

Malisheva ka vendosur të heqë gjendjen emergjente që kjo komunë e kishte vendosur pas situatës së krijuar nga reshjet e shiut të cilat shkaktuan vërshime.

Shtabi Emergjent Komunal për menaxhimin e situatës në Malishevë pas analizës së gjendjes aktuale ka vendosur që të hiqet gjendja e situatës emergjente, megjithatë thonë se shërbimet emergjente mbesin në gatishmëri të shtuar.

“Ky vendim është marrë sot, pas mbledhjes së Shtabit Emergjent dhe vlerësimit të situatës në terren. Sipas të dhënave zyrtare, niveli i ujërave ka rënë dhe gjendja aktuale është stabile”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se gjatë kësaj mbledhjeje, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me anëtarët e Shtabit Emergjent, ka theksuar se situata ka qenë emergjente dhe është përcjellë me dëme të mëdha, veçanërisht në infrastrukturë, ekonomi familjare, biznese dhe prona private.

“Po ashtu, kryetari Kastrati ka bërë të ditur se tashmë është formuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve, ndërsa ka ftuar të gjithë qytetarët e dëmtuar që të parashtrojnë kërkesat për vlerësim të dëmeve pranë Zyrës së Pritjes në Komunën e Malishevës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.


MË SHUME NGA Kosovë