Krasniqi apelon për kujdes në rrugë: Rreziku rritet në mëngjes dhe mbrëmje
K. K. / RTKlive
Eksperti i komunikacionit, Muhamet Krasniqi theksoi se është e rëndësishme që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë, duke ngadalësuar shpejtësinë dhe duke respektuar kushtet e rrugës. Sipas tij, orët e hershme të mëngjesit dhe ato të mbrëmjes janë më të rrezikshmet, ndërsa ky kujdes vlen njësoj edhe për këmbësorët.
Ai, në emisionin "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK, tha se janë zgjedhur 7 këshilla në mënyrë simbolike, pasi java ka 7 ditë, ndërsa ato janë ndarë në 4 grupe thirrjesh, duke iu referuar 4 javëve të muajit. Krasniqi theksoi se siguria duhet të jetë prioritet çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj, pasi ajo fillon nga vetë individi.
“Rreth një e katërta e të gjitha aksidenteve ndodhin në kushte dimërore, sidomos në Amerikë dhe në shtetet skandinave, ndërsa më pak në rajonin tonë”, tha ai.
Sipas Krasniqit, thirrjet janë drejtuar veçmas për ngasësit e automjeteve dhe veçmas për këmbësorët, pasi edhe këta të fundit janë të rrezikuar në aspektin e sigurisë rrugore.























