I jepet lamtumira e fundit veteranes së UÇK-së, Zymë Mazrekaj
BKT
Kosovë

I jepet lamtumira e fundit veteranes së UÇK-së, Zymë Mazrekaj

Islam Haxhiu|RTK

Në Sllup të Deçanit, qindra qytetarë nga Dukagjini e Kosova i dhanë lamtumirën e fundit veteranes së UÇK-së, Zymë Mazrekaj, nënës së dy dëshmorëve të kombit, Tahir e Agim Mazrekaj.

Në këtë ndarje të fundit, përveç bashkëluftëtarëve të shumtë dhe familjarëve të saj, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve vendore të cilët e vlerësuan lart sakrificën e familjes Mazrekaj në shërbim të lirisë së Kosovës.

“Nënat tona kanë një vlerë të veçantë sepse kanë rritur djem, kanë rritur vajza që kanë qenë në gjendje të japin jetën për lirinë e vendit tonë dhe të gëzojmë lirinë sot së bashku të gjithë ne. Nëna Zymë për dallim ndoshta prej shumë nënave tjera pati fatin që të njeh rezultatin e sakrificës së djemve të saj, lirinë dhe shtetndërtimin e vendit tonë”, tha Ejup Maqedonci, ministër në detyrë i Mbrojtjes.

“Një nënë e madhe shqiptare, grua fisnike që rriti fëmijë në kohë të vështira me  sakrificë dhe dashuri për atdheun me bashkëshortin Abazin. Tahir e Agim Mazrekaj, bijtë e saj dëshmorë u rritën me frymën e lirisë dhe u bënë ndër luftëtarët më të zot të Dukagjinit. Krahas dhimbjes sot kemi edhe krenari, Naimi e Milazimi, Luljeta, Fitnetja dhe Suzana vajzat e nënës Zymë janë krenare për nënën e tyre ashtu siç jemi ne të gjithë është nëna jonë e të gjithë neve”, tha Ramush Haradinaj, ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit.

Veteranja e UÇK-së, Zymë Mazrekaj, u nda nga jeta në moshën 83 vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur për kombin dhe si e tillë do të kujtohet breza pas brezi u tha ndër të tjera gjatë kësaj lamtumire.


MË SHUME NGA Kosovë