LDK largohet nga koalicioni me LVV-në në Mitrovicë të Jugut
BKT
Kosovë

LDK largohet nga koalicioni me LVV-në në Mitrovicë të Jugut

Shkelzen Çoçaj|RTKlive

Koalicioni qeverisës mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komunën e Mitrovicës së Jugut është përballur me tensione serioze dhe me njoftime për prishje për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Kryetari i degës lokale të LDK‑së, Gëzim Plakolli, ka bërë të ditur se LDK vendosi të vendosë për dalje nga koalicioni, pasi që propozimet dhe marrëveshjet zyrtare të partisë u injoruan nga kryetari i komunës, Faton Peci.

Arsyeja kryesore, sipas tij, janë emërimet e drejtorëve të rinj në qeverisje, sidomos pozita e Drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila sipas LDK‑së është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me marrëveshjet paraprake.

"Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë. Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë. Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, ka shkruar Plakolli.

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci ka bërë një reagim në lidhje me këtë çështje. “Me 3% nuk punon as iPhone-i”, ka shkruar ai në Facebook.

Koalicioni ishte arritur më 12 janar. Vetëm pas kësaj ujdie ishte mbledhur Kuvendi Komunal ku Kryesuesit i Kuvendit të Komunës ishte zgjedhur Safet Kamberi nga LDK.

 


MË SHUME NGA Kosovë