INPO: Kontrata e negociuar e Policisë rrit kostot dhe rrezikon buxhetin
BKT
Kosovë

INPO: Kontrata e negociuar e Policisë rrit kostot dhe rrezikon buxhetin

Sh.Çoçaj/RTKlive

Organizata INPO ka bërë të ditur se problemet që ka ngritur lidhur me tenderin për ushqimin e Policisë së Kosovës nuk janë adresuar, madje ato janë thelluar.

INPO thotë se kishte reaguar në nëntor 2025 lidhur me problematikat e identifikuara në tenderin e hapur për shërbime ushqimore për Policinë e Kosovës, me vlerë të parashikuar prej 2.7 milionë euro për 36 muaj. Tenderi, sipas saj, u anulua në dhjetor 2025, me pretendimin e mungesës së ofertave të përgjegjshme. Aktualisht, ligjshmëria e anulimit të tenderit është në shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

INPO ka theksuar se, pas anulimit të tenderit të hapur dhe gjatë kohës që çështja është në shqyrtim, Policia e Kosovës ka lidhur një kontratë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, me vlerë 650 mijë euro për vetëm 3 muaj, për të njëjtin objekt kontrate dhe për të njëjtat nevoja të parashikueshme.

“Ky veprim ka pasoja të drejtpërdrejta financiare për buxhetin publik. Kontrata e negociuar i kushton Policisë së Kosovës rreth 216 mijë euro në muaj, ndërkohë që tenderi i hapur i planifikuar për 36 muaj parashihte një kosto mesatare prej rreth 75 mijë euro në muaj. Pra, procedura e negociuar rezulton të jetë gati trefish më e shtrenjtë në baza mujore sesa një procedurë e rregullt konkurruese. Ky dallim i madh financiar rrëzon çdo arsyetim për mungesë buxheti dhe tregon qartë se procedurat e negociuara, përveç mungesës së transparencës, prodhojnë edhe kosto më të larta për paranë publike”, thuhet në reagimin e INPO-s.

Më shqetësuese, sipas INPO-s, është fakti se kontrata e negociuar është lidhur me operatorin ekonomik që në procedurën e hapur ishte shpallur i papërgjegjshëm dhe kishte ushtruar ankesë kundër vendimit të Autoritetit Kontraktues.

“Ky kontrast serioz – nga operator i shpallur i papërgjegjshëm në tender të hapur, në kontraktor përmes negociimit pa publikim – minon besueshmërinë e vlerësimit institucional dhe krijon dyshime të bazuara për trajtim selektiv dhe favorizim”, ka thënë organizata.

Sipas INPO-s, Policia nuk mund të iniciojë procedurë të re derisa ankesa kundër anulimit të tenderit të rregullt është ende në shqyrtim.

“Në këtë kontekst, INPO vlerëson se ekziston dyshim i arsyeshëm se dështimi i tenderit të rregullt dhe krijimi i urgjencës nuk janë thjesht pasoja të rastësishme, por prodhojnë një zinxhir shkak–pasojë që hap rrugë për kontrata të negociuara, me të gjitha të metat që i shoqërojnë ato: mungesë konkurrence reale, mungesë transparence, rritje të kostos dhe rrezik të lartë për favorizim dhe abuzim me paranë publike”, thuhet në reagim.


MË SHUME NGA Kosovë