Punonjësit e “Trafiku Urban” në Prishtinë paralajmërojnë grevë më 13 shkurt
Naser Mekolli /RTKlive
Punëtorët e ndërmarrjes publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar nisjen e një greve, që do të fillojë më 13 shkurt 2026.
Menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” Prishtinë, bënë të ditur se ka marrë një njoftim zyrtar për hyrje në grevë nga punonjësit e saj. Sipas dokumentit, nëse deri më 6 shkurt 2026 nuk merret përgjigje nga organet kompetente lidhur me kërkesat e punonjësve, greva do të fillojë më 13 shkurt 2026.
Njoftimi, thuhet se, bazohet në nenin 44 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Grevat Nr. 03/L-200, i cili rregullon procedurat për organizimin e grevave në shërbime me interes të përgjithshëm. Punonjësit kanë theksuar se paralajmërimi i mëparshëm më 26 janar 2026 nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga institucionet përgjegjëse.
Në njoftim theksohet se greva do të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe me respektimin e minimumit të shërbimeve publike, në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e qytetarëve dhe interesat publike. Dokumenti konsiderohet paralajmërim përfundimtar ligjor.























