Rritet zbulueshmëria e veprave penale në rajonin e Prizrenit|Video
Myrvete Axhami|RTK
Zbulueshmëria e veprave penale në rajonin e Prizrenit ka shënuar rritje prej 4.2 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Organet e rendit, hetuesisë dhe gjyqësisë, përveç fokusit në luftimin e korrupsionit dhe narkotikëve, si sfidë më vete për këtë vit e kanë edhe çështjen e fajdesë. Madje, kryeprokurori rajonal zotohet se do ta shpjerë Prizrenin në krye të komunave për pastërti në këtë aspekt.
Raporti vjetor i Policisë Rajonale të Prizrenit nxjerr në pah efikasitet të lartë të organeve të rendit, ku nga 5,857 raste të trajtuara, zbulueshmëria ka qenë 4.2 për qind më e lartë se ajo e vitit paraprak.
“Zbulueshmëria e veprave penale është 79.6 për qind, ndërsa zbulueshmëria e përgjithshme është 86 për qind. Kemi pasur dy raste dhe të dyja janë zbuluar. Në këto raste punojmë që të mos na ndodhin, mirëpo janë problematike në aspektin operativ për marrjen e masave parandaluese. Ajo që është me rëndësi është se tash e shtatë vjet në Prizren nuk ka asnjë rast të vrasjeve të pazbuluara”, thaksoi Faton Alia, drejtor Rajonal i PK-së.
Puna e Policisë është vlerësuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, duke theksuar se fokusi i institucioneve ka qenë luftimi i korrupsionit dhe narkotikëve.
“Në këtë drejtim, padyshim që është policia dhe puna e madhe që është bërë nga ajo, sepse kemi trajtuar rreth 91 kallëzime penale për korrupsion. Vetëm te veprat penale të narkotikëve kemi pasur 378 persona të trajtuar, ndërsa 69 prej tyre, që i ka pasur prokuroria, kanë qenë të përfshirë në shitje dhe kultivim të narkotikëve, pra kategoria më e lartë”, tha Petrit Kryeziu, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.
“Në këtë vit kjo duhet të jetë sfidë dhe duhet të përkushtohemi më tepër për t’i luftuar këto vepra, të cilat me të vërtetë shkaktojnë dëme të mëdha për të rinjtë dhe për gjithë shoqërinë”, theksoi Shpresa Emra, kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren
Prizreni ka pasur një paraqitje jo të mirë në rangimin sa i përket fajdesë. Kryeprokurori zotohet se do ta çojë këtë qytet në krye të komunave për pastërti në këtë aspekt.
“Sot gjendeni në regjionin ku grushti më i fortë u është dhënë fajdegjinjëve. Gjendeni në regjionin ku vetëm në një rast kemi sekuestruar mbi 20 njësi banesore. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, padyshim që brenda pak vitesh do të vijmë në stadin ku në qytetin e bukur të Prizrenit nuk do të kemi më raportime për fajde”, tha Petrit Kryeziu, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.
Me gjithë punën e mirë të Policisë Rajonale, drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Gazmend Hoxha, ka kërkuar angazhim më të madh të zyrtarëve policorë në rritjen e raporteve inteligjente, pasi luftimi i kriminalitetit në fusha të caktuara do të jetë më profesional dhe më i orientuar, përmes pranimit të raporteve analitike nga Departamenti i Inteligjencës.























