Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë viziton degët e kësaj gjykate
Valbona Thaçi / RTKLive
Pas zgjedhjes së tij si kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryetari Ngadhnjm Arrni ka realizuar vizitë zyrtare në degët e gjykatës në Graçanicë, Lipjan, Gllogoc, Fushë Kosovë dhe në Podujevë, ku ka zhvilluar takimin e parë me gjyqtarët mbikëqyrës dhe gjyqtarët e degëve përkatëse.
Sipas njoftimit nga Gjykata Themelore gjatë kësaj vizite, kryetari Arrni është informuar nga afër për funksionimin e degëve, ngarkesën me lëndë, sfidat aktuale si dhe nevojat në aspektin e organizimit të punës dhe shërbimeve mbështetëse, po ashtu është arritur dakordim për avancimin e punës së kolegjiumeve, unifikimin e praktikës gjyqësore si dhe respektimin strikt të Kodit të Etikës.
Arrni ka theksuar rëndësinë e përkushtimit profesional, transparencës dhe respektimit të afateve ligjore, duke shprehur gatishmërinë për mbështetje të vazhdueshme ndaj degëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Këto takime shërbyen si një mundësi për shkëmbim mendimesh dhe koordinim të mëtutjeshëm, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe rritjes së efikasitetit në punën gjyqësore”, thuhet në njoftim.























