Fëmijët e Pejës marrin fjalën në Kuvend, mbahet seanca e asamblesë së tyre
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Në sallën e Kuvendit Komunal në Pejë u mbajt seanca e parë e rregullt e Asamblesë Komunale të Fëmijëve (AKF), e organizuar me mbështetjen e Zyrës për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Riintegrim dhe OJQ-së “Syri i Vizionit” në Pejë.
Takimin e udhëhoqi nënkryesuesja e AKF-së, Gentonisa Avdyli, sipas rendit të ditës. Në fillim u bë evidentimi i pjesëmarrësve, ndërsa rendi i ditës u lexua dhe u miratua nga anëtarët. Po ashtu, procesverbali i mbledhjes së kaluar u prezantua dhe u miratua unanimisht, pa vërejtje shtesë.
Gjatë seancës u prezantua raporti vjetor i punës për vitin 2025, ku u theksuan aktivitetet e realizuara, sfidat dhe rezultatet e arritura. Anëtarët diskutuan mbi sukseset dhe nevojën për angazhim më të madh në vitin vijues, duke vlerësuar bashkëpunimin me institucionet komunale dhe organizatat partnere.
Përfaqësuesja e OJQ-së “Syri i Vizionit”, Teuta Çavdarbasha-Uka, prezantoi një projekt që synon fuqizimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në vendimmarrje dhe zhvillimin e aktiviteteve edukative e sociale. Anëtarët shprehën interesim për përfshirje aktive dhe diskutuan mbi zbatimin e projektit.
Në këtë takim u zgjodh edhe një komision prej tre anëtarësh për hartimin e planit të punës së AKF-së për vitin 2026, i cili do ta paraqesë draftin për miratim në seancën e ardhshme.
Po ashtu, u diskutua për përgatitjen e zgjedhjeve të reja për Asamblenë Komunale të Fëmijëve për mandatin 2026–2028. U theksua se shumica e anëtarëve aktualë janë në klasën e IX-të dhe në përfundim të SHFMU-së, prandaj nga mesi i muajit mars do të nisin përgatitjet për procesin zgjedhor, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së punës dhe përfaqësimit të brezit të ri të nxënësve. 
























