Vazhdon fushata ‘Barazo Faturën’ për mbështetjen e fëmijëve pa përkujdesje
Kimete Kasumi/ RTKlive
Fushata “Barazo Faturën”, e cila po organizohet për herë të 13-të, ka nisur para rreth dy javësh dhe do të vazhdojë. Përgjegjësi për mbledhjen e fondeve në SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, Shpend Juniku në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se çdo vit vërehet rritje e donacioneve, megjithatë ato ende nuk janë të mjaftueshme për nevojat që kanë fëmijët.
“Duke marrë krahasimin nga viti në vit, kemi parë një rritje të konsiderueshme, por asnjëherë aq sa kemi nevojë, duke pasur parasysh se kemi 30 fëmijë pa përkujdesje prindërore që jetojnë me ne dhe mbështesim rreth 600 fëmijë të tjerë në rrezik të braktisjes”, tha ai.
Ai tregoi se qytetarët gjatë blerjeve në rrjetin e dyqaneve Meridian Express mund të barazojnë shumën e faturës së tyre dhe diferencën ta dhurojnë për fëmijët pa përkujdesje prindërore.
Juniku theksoi se fondet e mbledhura përdoren për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve për 30 fëmijët që jetojnë në SOS Fshatra, përfshirë shkollimin, veshmbathjen, ushqimin dhe nevojat shëndetësore.
“Fëmijët tanë janë si të gjithë fëmijët e tjerë. Na duhen mjete për t’i dërguar në shkollë, për veshmbathje, ushqim dhe, nëse kanë nevojë, edhe për barna. Ky donacion shkon drejtpërdrejt për fëmijët pa përkujdesje prindërore”, tha Juniku.
Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të vazhdojnë të kontribuojnë, duke theksuar se SOS Fshatrat e Fëmijëve funksionojnë kryesisht falë donacioneve dhe çdo ndihmë është e mirëseardhur.























