SBASHK në takimin e ETUCE për barazi dhe përfshirje në arsim
BKT
Kosovë

SBASHK në takimin e ETUCE për barazi dhe përfshirje në arsim

Naser Mekolli /RTKlive

Një delegacion i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) po merr pjesë në takimin e Komitetit të Përhershëm për Barazi të European Trade Union Committee for Education (ETUCE), i cili po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë më 16-17 mars 2026.

Delegacioni i SBASHK-së përbëhet nga Sekretari i Përgjithshëm Ymer Ymeri, i shoqëruar nga nënkryetarja Vjollca Shala dhe zyrtarja për marrëdhënie me jashtë Shukrie Gori.

Takimi u hap nga Presidenti i ETUCE, John MacGabhann, i cili theksoi rëndësinë e mbrojtjes së vlerave themelore evropiane – barazisë, përfshirjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut – si në arsim, ashtu edhe në shoqëri. Ai nënvizoi rolin kyç të sindikatave të arsimit në promovimin e solidaritetit, mbrojtjen e dinjitetit të çdo individi dhe kundërshtimin e çdo forme diskriminimi, pavarësisht përkatësisë etnike, besimit, gjinisë apo orientimit.

Gjatë ditës së parë u diskutua për punën e bërë në vitin 2025 në fushën e barazisë dhe përfshirjes në arsim, si dhe për rekomandimet për përfshirjen e migrantëve dhe refugjatëve në arsim dhe në profesionin e mësimdhënies. Pjesëmarrësit gjithashtu punuan në grupe për shqyrtimin e udhëzimeve të projektit për integrimin e personave me nevoja të veçanta dhe aftësi të kufizuara në sistemin arsimor.

Diskutimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së dytë të takimit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sindikatave të arsimit në Evropë dhe avancimin e politikave të barazisë dhe përfshirjes në arsim.

SBASHK riafirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të arsimit dhe avancimin e një mjedisi arsimor gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë.


MË SHUME NGA Kosovë