Abdixhiku përkujton Latif Berisha dhe Agim Hajrizi në 27-vjetorin e vrasjes
BKT
Kosovë

Abdixhiku përkujton Latif Berisha dhe Agim Hajrizi në 27-vjetorin e vrasjes

Sh.Çoçaj/RTKlive

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sot veprimtarët Latif Berisha dhe Agim Hajrizi në 27-vjetorin e vrasjes së tyre.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku i cilësoi Berishën dhe Hajrizin si figura të shquara të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke theksuar rolin dhe kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në periudha të vështira për vendin.

Sipas tij, Prof. Latif Berisha përfaqësonte një personalitet të gjithanshëm, i angazhuar si poet, profesor, studiues dhe veprimtar politik i palodhur i LDK-së. Abdixhiku vlerësoi veçanërisht kontributin e tij në zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë, duke e cilësuar atë si një trashëgimi të qëndrueshme dhe frymëzuese për brezat e ardhshëm.

Ndërkaq, Agim Hajrizi u përshkrua si një sindikalist i guximshëm dhe i vendosur, i cili në kohët më të vështira u angazhua në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe qytetarëve të Kosovës. Si udhëheqës i Sindikatës së Kuvendit të Kosovës, ai u bë simbol i qëndresës dhe zë i fuqishëm i kërkesave qytetare.

Abdixhiku rikujtoi se në natën e 24 marsit, Hajrizi u vra bashkë me nënën dhe djalin e tij, Ilirin, në një akt që tronditi mbarë vendin.

Në përmbyllje, ai theksoi se Latif Berisha dhe Agim Hajrizi do të mbeten gjithmonë në kujtesën kolektive si ndër figurat më të rëndësishme që kontribuan për Mitrovicën dhe Kosovën, ndërsa veprat dhe idealet e tyre vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyes edhe sot.


MË SHUME NGA Kosovë