Nis dezinsektimi i zonave të rrezikuara nga rriqrat në Malishevë
Emine Hoti/RTKlive
Në kuadër të masave për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime-Kongo, Komuna e Malishevë ka nisur zyrtarisht fushatën e dezinsektimit në zonat endemike, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit që bartet nga rriqrat.
Për të parë nga afër zhvillimin e punimeve në terren, kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, së bashku me zyrtarët e shtabit emergjent, vizituan ekipet e angazhuara në procesin e dezinsektimit. Ai vlerësoi angazhimin e institucioneve dhe punëtorëve në terren, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të Strategjisë Nacionale për parandalimin e EHKK-së.
“Jemi maksimalisht të përkushtuar për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë. Falënderoj të gjithë të angazhuarit në këtë proces dhe u bëj thirrje banorëve që të vazhdojnë të zbatojnë masat mbrojtëse me kujdes të shtuar”, deklaroi Kastrati.
Sipas autoriteteve komunale, dezinsektimi është vetëm një pjesë e planit operativ për parandalimin e EHKK-së. Më herët janë zhvilluar edhe fushata vetëdijesimi, repelimi i kafshëve, si dhe trajtimi i rasteve të pickimeve nga rriqrat.
Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me EHKK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në natyrë dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore në rast të pickimeve nga rriqrat.
























