Nxënës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, shënuan festën e Abetares
BKT
Kosovë

Nxënës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, shënuan festën e Abetares

Qendresa Duraku / RTK

Në një atmosferë festive dhe me emocione të veçanta, qindra nxënës të klasave të para nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u mblodhën në Mitrovicë për manifestimin tradicional të Festës së Abetares.

Përmes këngëve, recitimeve dhe mesazheve për dijen e gjuhën shqipe, kjo ngjarje solli në qendër rëndësinë e Abetares si simbol të identitetit dhe unitetit kombëtar.

Këtë ngjarje organizatorët e cilësuan simbol të dijes, gjuhës dhe identitetit kombëtar.

“Ky manifestim ka bashkuar gjithmonë trevat shqiptare, përtej kufijve administrativë. Përveç Kosovës, pjesë e kësaj feste janë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Sot kemi nxënës dhe përfaqësues institucionalë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët i falënderojmë për praninë e tyre. Për fat të keq, përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës, ndonëse të ftuar, nuk kanë arritur të marrin leje për të kaluar kufirin dhe për të qenë me ne në këtë ditë të veçantë. Megjithatë, edhe atyre ua urojmë Festën e Abetares”, ka thënë Avni Rexha nga Këshilli Organizativ, Ministria e Arsimit.

Për rëndësinë e shkronjës së parë shqipe dhe rrugëtimit drejt dijes foli edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

“Sot ju nuk jeni më vetëm dëgjues, por lexues të vegjël që po hidhni një hap të madh drejt së ardhmes. Këto shkronja që keni mësuar do t’ju hapin rrugën drejt ëndrrave tuaja. Dikush prej jush do të bëhet mësues, artist, mjek, sportist, programer apo udhëheqës i këtij vendi. Ju jeni e ardhmja jonë dhe krenaria e kombit tonë. Mos ndalni së lexuari, mësuari dhe ëndërruari”, ka thënë Peci.

Mesazhe për ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe dhanë edhe përfaqësuesit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

“Për ne shqiptarët, festa e Abetares dhe mësimi i gjuhës shqipe kanë qenë dhe mbeten themel i identitetit tonë kombëtar. Edhe sot ka përpjekje për ta minimizuar gjuhën shqipe, por kjo gjuhë është po aq e lashtë dhe e fortë sa vetë historia e kombit tonë. Fakti që sot festojmë së bashku, nga të gjitha trevat shqiptare, tregon se gjuha dhe kultura jonë vazhdojnë të na bashkojnë dhe të na bëjnë krenarë” , ka thënë Shkëlqim Allgaj nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Shqipëri.

“Abetarja nuk është thjesht një libër, është çelësi që hap dyert e diturisë, është ura që lidh fëmijët me gjuhen amtare, me historinë dhe identitetin tonë”, ka thënë Mjellma Gashi, përfaqësuese nga Maqedonia e Veriut

Festa e Abetares simbolizon fillimin e një rruge të re drejt dijes, ku fëmijët fitojnë pavarësinë në lexim dhe shkrim.


MË SHUME NGA Kosovë