Prishtina kërkon investitorë për projektet strategjike
BKT
Kosovë

Prishtina kërkon investitorë për projektet strategjike

Sh.Ç/RTKlive

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka prezantuar projektet strategjike të planifikuara për kryeqytetin gjatë një takimi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës, ku u diskutuan alternativat e financimit të projekteve të prezantuara në Konferencën e Investitorëve Amerikanë 2026.

Në fokus të prezantimit ishin projekti i stacionit të autobusëve, Fshati Olimpik dhe Unaza e Qytetit.

Rama tha se projekti i Stacionit të Autobusëve është pjesë e zhvillimit qendror të Prishtinës dhe se komuna tashmë i ka përgatitur planet rregullative, por pret propozime konkrete nga investitorët privatë.

“Pjesë e zonës qendrore, Zhvillimi Qendror i Prishtinës – Stacioni i Autobusëve, një zhvillim me funksione të përziera. Edhe këtu kemi planet rregullative të miratuara. Nga pikëpamja komunale i kemi të gjitha të përgatitura, por na duhen propozime nga investitorët. Ajo që po kërkojmë është e qartë: e dimë që na duhet një stacion autobusi, e dimë që na duhet parkim nëntokësor për makina, dhe pjesa tjetër mund të klasifikohet si zhvillim me përdorime të përziera”, tha Rama.

Sipas tij, kryeqytetit i nevojiten më shumë kapacitete hoteliere dhe hapësira administrative, ndërsa modeli i realizimit të projektit mund të ndahet në disa parcela për investitorë të ndryshëm.

“Qytetit i duhen hotele, i duhen hapësira administrative; qytetit jo gjithmonë i nevojiten banesa, por mund të përfshihet edhe akomodim me qira të nivelit të lartë. Sidoqoftë, sektori privat duhet të dalë me propozimet e veta”, deklaroi ai.

Sipas tij, interesimi i madh i investitorëve ka bërë që komuna të shqyrtojë mundësinë e ndarjes së projektit në disa pjesë.

Duke folur për projektin e Fshatit Olimpik, Rama tha se një pjesë e konsiderueshme e tokës vazhdon të mbetet në pronësi të qeverisë qendrore, gjë që sipas tij paraqet rrezik për realizimin e projektit.

“Fshati Olimpik këtu rreth 35% e tokës është në pronësi të komunës, rreth 65% është në pronësi të qeverisë qendrore. Ne i kemi kërkuar qeverisë qendrore që ta kalojë këtë pronë tek ne rreth katër vite më parë, por kjo nuk ka ndodhur ende. Pra, rreziku mbetet”, tha ai.

Ai theksoi se komuna posedon masterplanin dhe studimet e fizibilitetit për këtë projekt.

“Kemi një masterplan dhe shumë studime fizibiliteti që mund t’i ndajmë”, u shpreh Rama.

Sa i përket Unazës së Qytetit, kryetari i Prishtinës bëri të ditur se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim tashmë është duke investuar në projekt.

“Te Unaza e Qytetit, BERZH tashmë po investon dhe janë shumë të interesuar. Na duhet vetëm që Plani Zhvillimor Komunal të miratohet për ta pozicionuar saktë projektin, dhe më pas mund të ecim përpara”, deklaroi Rama.

Ai përmendi edhe projektet për Parkun Eko-Industrial dhe Qendrën Kreative, për të cilat tha se ekzistojnë studime të detajuara të fizibilitetit dhe se nevojitet miratimi i Planit Zhvillimor Komunal për të vazhduar me realizimin e tyre.


MË SHUME NGA Kosovë