Nderohet dëshmori Naser Krasniqi|VIDEO
Islam Haxhiu/RTK
Rahoveci nderoi sot dëshmorin Naser Krasniqi, i cili ra 28 vjet më parë në betejën e Ratkocit, në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së në këtë zonë.
Në 28-vjetorin e rënies, në Ratkoc të Rahovecit është nderuar vepra e dëshmorit Naser Krasniqi. Bashkëveprimtari dhe bashkëluftëtari i tij, Smajl Latifi, tha se Naseri ishte shembulli më i mirë i një atdhetari të devotshëm, i cili tërë jetën e vendosi në shërbim të lirisë së Kosovës.
“Naseri kishte shpirt vetëmohues dhe, para së gjithash, ai e vuri gjakun e vet në themelet e lirisë sonë, të cilën e gëzojmë sot e do ta gëzojnë për jetë e mot brezat që do të vijnë pas nesh”, tha Latifi.
“Naseri ishte i bindur për lirinë e Kosovës si vlerë më e madhe e një populli, vlerë sublime për të cilën punoi fort, luftoi dhe ra në altarin e lirisë”, tha Sadik Krasniqi, bashkëluftëtar.
Edhe nëna e Naserit, që nuk u ligështua asnjëherë, thotë se Naseri me shokë shkuan në përjetësi ashtu siç iu ka hije trimave të vërtetë.
“Shyqyr Zotit i qofshim falë, na ka falur të gjithëve dhe kur e kemi të shkruar, na merr. Mirëpo këta shkuan si u ka hije për tokën e Kosovës, për lirinë e Kosovës. Këta janë të gjallë çdoherë, sepse vepra e tyre kurrë nuk zhduket”, tha Rabije Krasniqi, nëna e Naser Krasniqit.
Naser Krasniqi ra më 4 qershor 1998 në betejën e lavdishme të Ratkocit, në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së në këtë zonë.























