Inspektorët gjobisin dy kompani pas ndotjes së rrugëve me beton në Gjilan
BKT
Kosovë

Inspektorët gjobisin dy kompani pas ndotjes së rrugëve me beton në Gjilan

E.Hoti/RTKlive

Inspektorët e Komunës së Gjilanit kanë shqiptuar gjoba ndaj dy subjekteve afariste, kamionët e të cilave kanë ndotur rrugët me beton, pas ankesave të paraqitura nga qytetarët.

Sipas Drejtorisë së Inspekcionit, veprimet janë ndërmarrë pas verifikimit të ankesave, ku është konstatuar se automjetet e këtyre kompanive kanë shkaktuar ndotje në hapësirat publike duke lënë mbetje betoni në rrugë.

Nga kjo drejtori u bë thirrje për të gjithë shoferët dhe operatorët ekonomikë që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të tregojnë kujdes më të madh për ruajtjen e mjedisit dhe pastërtisë publike.

“Rrugët dhe hapësirat publike janë pasuri e përbashkët dhe mirëmbajtja e tyre është përgjegjësi e secilit prej nesh”, thuhet në njoftimin e inspektorëve komunalë.

Drejtoria e Inspekcionit ka bërë të ditur se inspektorët vazhdojnë të jenë në terren dhe se do të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që ndotin mjedisin dhe cenojnë pastërtinë publike.

 


MË SHUME NGA Kosovë