Ujësjellësi `Prishtina` vazhdon aksionin ndaj borxhlinjve
G.K/RTKlive
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për shkyçje të reja nga sistemi publik i ujësjellësit për shkak të borxheve të akumuluara ndaj shërbimeve të ujësjellësit.
Sipas njoftimit, sot janë shkyçur biznese në rrugët “Shaqir Igrishta” dhe “Kalaja e Prizrenit”, për shkak të borxheve të akumuluara mbi 1,500 euro. Furnizimi me ujë është ndërprerë menjëherë dhe nuk do të rikthehet derisa të shlyhen të gjitha detyrimet e papaguara. Kompania ka theksuar se ky vendim zbatohet në mënyrë strikte dhe pa përjashtime.
Ndërkaq, gjatë kontrollit te një konsumator me borxh për ujin prej 922 euro, në rrugën “Fahri Fazliu”, inspektorët kanë zbuluar edhe dy lidhje ilegale në të njëjtin objekt.
Sipas kompanisë, ky konsiderohet një nga rastet më të rënda të evidentuara, pasi përveç mospagesës së obligimeve, është konstatuar edhe keqpërdorim i rrjetit të ujësjellësit.
Po ashtu, KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se janë realizuar shkyçje edhe në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë.
“Koha e paralajmërimeve ka mbaruar”, thuhet në njoftim, ku theksohet se abuzimi me shërbimin dhe grumbullimi i borxheve nuk do të tolerohen më.
“Kush nuk paguan, do të shkyçet. Pa përjashtime. Pa arsyetime. Pa shtyrje afatesh”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, kompania ka njoftuar se sot janë duke u realizuar shkyçje edhe në rrugën “Asllan Pireva” në Prishtinë, për shkak të borxheve të akumuluara dhe mospërmbushjes së detyrimeve financiare ndaj shërbimit të ujësjellësit.
“Pavarësisht njoftimeve dhe afateve të përsëritura për shlyerjen e detyrimeve, borxhi i papaguar ka arritur nivele të papranueshme, duke detyruar ndërmarrjen të ndërmarrë këtë masë”, thuhet në njoftim.
Kompania ka ftuar të gjithë konsumatorët me detyrime të papaguara që të reagojnë menjëherë për të shmangur masa të ngjashme dhe kostot shtesë që mund të rrjedhin nga procedurat e shkyçjes dhe rikyçjes.
“Uji është shërbim jetik, pagesa me kohë është përgjegjësi e secilit konsumator”, thuhet në njoftim.























