Zjarri në deponinë e Sferkës ndot zonën|Video
Besjana Mulaj / RTK
Deponia e mbeturinave në fshatin Sferkë të Pejës është kapluar nga zjarri. Rasti ka ndodhur mbrëmë dhe ende nuk dihen shkaqet, por mbeturinat e grumbulluara vazhdojnë të lirojnë tym, duke ndotur në masë të madhe zonën përreth.
Deponia ka shtatë vjet që ka kaluar kapacitetet, por në mungesë të një lokacioni të ri, në të janë grumbulluar vazhdimisht mbeturinat.
"Ne si komunë jemi duke punuar me KFV-në dhe me kompaninë për mirëmbajtjen e deponive të mbeturinave. E kemi një fond të përbashkët ku komuna do të participojë me 3 milionë euro. 1 milion këtë vit veç se janë lëshuar dhe 2 milionë do të lëshohen vitin tjetër dhe pastaj do të krijohet deponi e re, por jemi ne kontakt të vazhdueshëm me ministrinë, sepse kompania me fjale është në kuadër të ministrisë", ka thënë Valmir Deqani - zëdhënës i Komunës së Pejës.
Asamblistët opozitarë thonë se nga kjo deponi sanitare më të rrezikuarit janë banorët e fshatit Sferkë, por sipas tyre, komuna e ka neglizhuar menaxhimin e mirë të saj.
"Në vitin 2023 kam bërë presion mbi ekzekutivin që kjo deponi të paktën të fillojë të mbulohet me dhe që mos te kundërmojë, sepse lëngjet që lirohen e dëmtojnë ne masë të madhe tokën pjellore", ka thënë Faik Bytyqi asamblist në Komunën e Pejës.
Ndërkohë, Policia thotë se kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është në pritje të raportit nga eksperti i zjarreve. "Rasti është iniciuar dhe me urdhër të prokurorit mbetet si shënim zyrtar", ka thënë zëdhënësi i policisë në rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Në këtë deponi derdhen mbeturinat e Pejës, Klinës, Istogut, Deçanit dhe të Junikut.























