Erërat e fuqishme lënë pas dëme të mëdha në Suharekë
Nora Gjuzi/RTK
Erërat e fuqishme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa lokalitete të Suharekës. Në fshatin Gjinoc, stuhia që zgjati vetëm pak minuta ka dëmtuar shtëpi private, biznese dhe objektin e shkollës fillore.
"Gjendja, siç po e shihni edhe vetë, nuk është e mirë, sepse për momentin jam duke banuar këtu dhe ende nuk janë marrë masa. Komuna ka ardhur vetëm për ta parë situatën se si është, por unë do t’u bëja thirrje që sa më shpejt të ndërhyjnë dhe ta largojnë, sepse nuk mundemi kështu të qëndrojmë.Dëme materiale kemi vetëm te kulmi, i cili është dëmtuar, si dhe pjesa e shkarkimit të ujit. Gjithçka ka ndodhur brenda 30 sekondash. E kemi dëgjuar zhurmën, pasi edhe shtëpia pati një lëvizje dhe e kemi kuptuar se diçka nuk ishte në rregull, por nuk kemi guxuar të dalim jashtë", tha Adrian Gashi, banor nga fshati Gjinoc.
"Ka pasur dëme të mëdha materiale në fshatin tonë, sikurse në tërë Kosovën, por te ne dëmet janë më të mëdha, si në biznese, institucione shkollore, shtëpi private, ashtu edhe në bujqësi. Ndoshta është njëri prej dëmeve më të mëdha që Komuna e Suharekës nuk mund t’i përballojë e vetme. Ne po presim edhe nga Qeveria që të na ndihmojë, pasi Suhareka i ka 42 fshatra dhe ka pak fshatra që nuk janë dëmtua", tha Salih Sallahu, kryetar i fshatit Gjinoc.
Pas evidentimit të situatës në terren, autoritetet komunale kanë aktivizuar ekipet emergjente për të nisur procesin e regjistrimit të dëmeve në objektet shtetërore dhe private.
"Ekipet veçse janë përgatitur, janë formuar komisionet. Patëm takimin e bordit dhe formuam tri komisione për të dalë në terren dhe për të bërë vlerësimin e dëmeve. Një komision është formuar për vlerësimin e dëmeve në bujqësi, një për arsim dhe një për shërbime publike, ku përfshihen objektet shtetërore dhe ato private.E kanë obligim që brenda dy ditësh t’i mbledhin informatat, t’i sjellin të dhënat dhe të vlerësojnë se sa kushtojnë dëmet. Duhet të jemi në bashkëpunim me komisionin qendror qeveritar të Republikës së Kosovës. Për fat të mirë, dje ishte kryetari i komisionit dhe e ka parë vetë situatën. Duhet t’i ndihmojmë qytetarët, pasi dëmet janë të mëdha", tha Bali Muharremaj, kryetar i Komunës së Suharekës.
Komisionet po vazhdojnë punën në terren, ndërsa zyrtarët komunalë premtuan publikimin e raporteve dhe ndërmarrjen e hapave për sanimin e shpejtë të dëmeve.























