Policia: Të shtohet sinjalizimi në segmentin rrugor Kijevë–Zahaq
BKT
Kosovë

Policia: Të shtohet sinjalizimi në segmentin rrugor Kijevë–Zahaq

V.Th / RTKLive

Policia e Kosovës ka kërkuar nga kompanitë që po kryejnë punimet në zgjerimin e segmentit rrugor Kijevë–Zahaq, pjesë e rrugës nacionale N9, që të shtojnë dhe përmirësojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor për të rritur sigurinë në trafik.

Në një komunikatë, Policia njoftoi se Komandanti i Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Pejë, kapiten Teki Sylaj, zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e kompanive punëkryese, ku u diskutua për menaxhimin e qarkullimit dhe masat parandaluese gjatë zhvillimit të punimeve.

"Policia e Kosovës kërkoi nga kompanitë punë-kryese që të shtojnë dhe përmirësojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor, duke vendosur shenja shtesë paralajmëruese dhe orientuese në zonat ku zhvillohen punimet, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik," thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, në takim u diskutua edhe për fluksin e shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror, si pasojë e ardhjes së bashkatdhetarëve.

Policia bëri të ditur se do të vazhdojë zbatimin e planeve operative dhe masave parandaluese për rritjen e sigurisë në komunikacion, duke u bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, sinjalizimin rrugor dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, veçanërisht në segmentet ku po zhvillohen punime.


MË SHUME NGA Kosovë