Handikos lanson platformën `Hëna` për raportimin e diskriminimit dhe dhunës
Shqipe Gashi|RTKlive
Personat me aftësi të kufizuara, prindërit e tyre dhe qytetarët që janë dëshmitarë të rasteve të diskriminimit, bullizmit apo dhunës, tashmë mund t’i raportojnë ato përmes platformës digjitale “Hëna”. Për këtë platformë foli në Programin e Mëngjesit të RTK-së, Kaltrina Misini, zyrtare për informim në Handikos.
"Ne jemi shumë të lumtur që tashmë kemi lansuar platformën të quajtur 'Hëna'. Kjo ka rrjedhur domethënë përmes Grupit Avokues të Fëmijëve 'Hëna', e që e gjithë ideja në fakt është edhe prej anës së tyre", tha ajo.
Misini tha se platforma është krijuar për të lehtësuar raportimin e rasteve që shpesh nuk bëhen publike dhe për t’i adresuar ato te institucionet përgjegjëse.
"Që nga dita kur e kemi lansuar e kemi parë një interesim për të raportuar, sepse unë kam qasje direkte në këtë aplikacionin e raportimit dhe në përditshmëri domethënë e kontrolloj dhe e vëzhgoj se çfarë lloj raportimesh po na vijnë, dhe tashmë janë dhjetëra të tilla", ka thënë Misini.
Ajo veçoi edhe një nga rastet e raportuara, që lidhet me mungesën e pajisjeve të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara në Aeroportin e Prishtinës, duke theksuar se qëllimi i platformës është që këto shqetësime të marrin zgjidhje institucionale.
"Por që kemi raportime të llojeve të ndryshme, që po shpresojmë që në një të ardhme shumë të afërt, sepse ideja është që të mos mbesin vetëm me kaq, por ato t'i adresojmë tek institucionet kompetente", tha Misini.
Platforma "Hëna" synon të shërbejë si një urë lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve për përmirësimin urgjent të kushteve dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.























