Nesër kufizime për automjetet mbi 20 tonë në autoudhë
G.K/RTKlive
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se më 4 gusht 2026 do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit, kufizimi do të zbatohet bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme.
Në autoudhë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32 gradë Celsius ose më shumë.
Ministria bëri të ditur se në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të lejohet pa kufizime.
Nga kufizimi përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve dhe ngasësve që ta respektojnë kufizimin dhe ta planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar.























