Rritet gatishmëria për zjarret, Dugolli bën thirrje për vigjilencë
E.Hoti/RTKlive
Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ka vizituar Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), ku është pritur nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Shefki Avdullahi, së bashku me stafin e agjencisë.
Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për situatën aktuale me zjarret në vend, veçanërisht gjatë kësaj periudhe vere kur temperaturat e larta rrisin ndjeshëm rrezikun për përhapjen e tyre.
Sipas vlerësimeve të bëra në takim, deri më tani situata paraqitet e qetë, por institucionet kanë kërkuar vigjilencë dhe gatishmëri të shtuar nga ekipet e zjarrfikësve, si dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, me fokus të veçantë koordinimin me komunat.
“Një nga temat kryesore të diskutimit ishte djegia e hamulloreve, e cila vazhdon të mbetet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve. U theksua se kjo praktikë e papërgjegjshme rrezikon jetën e qytetarëve, pronën dhe mjedisin”, thuhet në njoftim.
Në këtë drejtim, u bë e ditur se inspektorët e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të intensifikojnë monitorimin në terren dhe do të ndërmarrin masa të rrepta ndaj çdo personi që shkakton zjarr, qoftë me dashje apo nga pakujdesia.
Zëvendësministri Dugolli ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre dhe të raportojnë me kohë çdo rast që paraqet rrezik për shpërthimin ose përhapjen e tyre.























