Qytetari në Gjakovë dorëzon në polici 3,800 euro të gjetura
E.Hoti/RTKlive
Një rast i ndershmërisë qytetare është shënuar në Gjakovë, ku një qytetar ka dorëzuar në Polici një zarf me 3,800 euro, të cilat më pas iu kthyen pronarit të ligjshëm.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 6 gusht 2026, qytetari I. Fetahu ka dorëzuar në Stacionin Policor në Gjakovë një zarf që ishte gjetur nga bashkëshortja e tij në një institucion publik.
Pas procedurave të verifikimit, policia ka konstatuar se shuma e parave ishte raportuar si e humbur më 4 gusht 2026. Hetimet kanë konfirmuar se mjetet i përkisnin personit që kishte bërë raportimin, ndërsa 3,800 eurot i janë kthyer pronarit legjitim.
Policia e Kosovës ka falënderuar familjen Fetahu për ndershmërinë dhe bashkëpunimin e treguar, duke e cilësuar veprimin e tyre si një shembull pozitiv të përgjegjësisë qytetare dhe të bashkëpunimit me institucionet e rendit.























