Katër zjarre gjatë natës së mbrëmshme në fshatrat e Prishtinës
Valjeta Shala/ RTK
Gjatë periudhës së verës, temperaturat e larta dhe pakujdesia e qytetarëve shpesh bëhen shkak për përhapjen e zjarreve në pyje dhe hapësira tjera bujqësore në Kosovë. Për këtë arsye, autoritetet e sigurisë vazhdimisht u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes. Kanë bërë thirrje që çdo rast i dyshimtë apo person që mund të jetë i përfshirë të raportohet tek institucionet përgjegjëse.
Vetëm në dy javët e fundit, në kryeqytet janë shkaktuar mbi 150 zjarre të hapura në natyrë. Drejtori për Siguri dhe Emergjenca Lulzim Fushtica thekson se vetëm gjatë mesnatës janë shkaktuar katër vatra zjarri në disa fshatra në afërsi të kryeqytetit, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe zonën përreth.
Biologia, Ferdije Zhushi Etemi thekson se djegia e hamulloreve nuk sjell asnjë përfitim për tokat bujqësore, ndërsa zjarret lënë pasoja afatgjata në mjedis duke shkaktuar ndotje të cilësisë së ajrit.
Për të parandaluar raste të tilla, qytetarëve u është bërë apel që të mos ndezin zjarre në natyrë, përfshirë djegien e hamulloreve apo mbeturinave, pasi rrezikojnë edhe jetën dhe shëndetin e tyre.
Kurse Policia ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë atyre që, me qëllim apo nga pakujdesia, rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.
Sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, gjatë sezonit të kaluar në nivel vendi janë shënuar mbi 11 mijë zjarre.























