Nxënësit nisin mësimin, shkollat pa ditarë pedagogjikë |Video
Besjana Mulaj / RTK
Në vitin e ri shkollor, mësimin në institucionet e arsimit parauniversitar në vend e nisën sot rreth 260 mijë nxënës.
Edhe sivjet vëmendja kryesore mbetet te sigurimi i teksteve shkollore, sfidë që rëndon mbi prindërit që obligohen t'i blejnë librat, përmes subvencionimit nga platforma e-Kosova.
Krahas emocioneve të nxënësve, procesi ka filluar me mungesa jetike nëpër klasa. Përveç sfidës së prindërve me librat, këtë vit problemet kanë prekur drejtpërsëdrejti edhe mësimdhënësit, të cilët e kanë nisur ditën e parë pa ditarë pedagogjikë.
Pa këtë mjet bazë të punës për planifikimin dhe vlerësimin, mësimdhënësit shprehen të shqetësuar për mbarëvajtjen e mësimit.
“Sot kemi pas mungesë të ditarëve dhe kjo nuk është e mirë që më fillu me mungesë të ditarëve, pregaditjet e tjera i kemi bo, e kemi bo me kohë ndërrimin e paraleleve, orarin mësimor, caktimin e kujdestarëv të ditës, po presim edhe furnizimin me material didaktik dhe higjenik”, ka thënë Haki Duli, u.d drejtor i gjimnazit “Ahemt Gashi”.
"Sipas informatave nxënësit 80% janë pajisur me tekste shkollore, por sot është dita e parë edhe i marrim statistikat. Rëndësi ka se fëmijët a janë të gatshëm, a i kanë tekstet shkollore gati. Ndërsa sa i përket ëh anës tonë pedagogjike çdo gjë kemi realizuar me kohë edhe çdo gjë ka shkuar sipas planifikimit."Visar Osmani, Drejtor i shkollës “Emin Duraku”.
Mistria e Arsimit ua faturon përgjegjësinë vonesave operative të operatorit ekonomik. Përmes një përgjigjeje me shkrim, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit theksojnë se dikasteri i tyre dhe komunat i kanë përmbushur në kohë të gjitha obligimet procedurale.
Sipas ministrisë, këtë vit është kontraktuar një operator i ri që ka ofruar çmimet më të ulëta, por ky i fundit ka njoftuar se furnizimi u vonua për shkaqe operative.
Nga Ministria e Arsimit zotohen se kompania ka premtuar se të gjitha shkollat në nivel vendi do të furnizohen sa më parë me ditarë.
Ndryshe nga vitet e kaluara, ky 1 shtator sjell një ndryshim të madh për disa shkolla në kryeqytet. Prishtina ka nisur zbatimin eksperimental të mësimit tërëditor në katër institucione shkollore, një projekt që synon rritjen e cilësisë në arsim, por që ka nxitur edhe diskutime mbi kapacitetet infrastrukturore.























